Irani: Trump na tradhtoi, hakmarrja e pashmangshme!

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë arritur një tjetër kulm pas sulmit ajror të Shteteve të Bashkuara mbi tre impiante bërthamore iraniane. Irani e ka cilësuar këtë veprim si një tradhti të rëndë dhe një shkelje të hapur të të drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar një përgjigje të pashmangshme.

Në një konferencë për shtyp, Ministri i Jashtëm iranian, Abaz Arakçi, u shpreh ashpër ndaj presidentit amerikan Donald Trump:

“Trump u zgjodh me premtimin për t’i dhënë fund luftërave të pafundme, por tani i është nënshtruar një krimineli lufte të kërkuar, duke mashtruar votuesit e tij dhe duke tradhtuar angazhimet e diplomacisë.”

Araqchi theksoi se SHBA-të “kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe” me goditjen ndaj impianteve bërthamore dhe se Irani do të kundërpërgjigjet në bazë të të drejtës për vetëmbrojtje. Ai shtoi gjithashtu se “nuk është e qartë sa hapësirë ka mbetur për diplomaci”.

Kur u pyet mbi mundësinë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike për eksportet globale të naftës, ministri iranian tha se Teherani ka “një gamë të gjerë opsionesh në tavolinë”.

Ai konfirmoi gjithashtu se Irani është në kontakte me ministra të jashtëm nga rajoni, ku sipas tij, “pothuajse të gjithë janë shumë të shqetësuar” për zhvillimet dhe po kërkojnë të ndalojnë agresionin izraelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *