Një nga rastet më misterioze të zhdukjes në Gjermani ka marrë një kthesë befasuese. Boris C., një kroat që jetonte në Viersen, ishte zhdukur në shtator të vitit 1994, në moshën 37-vjeçare. Mjeti i tij u gjet në Dyseldorf me gjurmë gjaku, çka ngjalli dyshime për një vrasje. Pas tre vitesh pa asnjë gjurmë, familja e shpalli të vdekur.
Por pas gati tre dekadash, autoritetet në Viersen konfirmuan se Boris C. është gjallë dhe jeton në Francë. Ai ishte identifikuar vitin e kaluar, kur kërkoi të pajisej me dokumente zyrtare, duke alarmuar autoritetet franceze që konstatuan se ai figuronte si i vdekur në Gjermani.
Në dëshminë e tij, Boris pranoi se ishte larguar qëllimisht për shkak të borxheve dhe frikës për pasojat që mund të kishte ndaj vetes dhe familjes. Ai kishte simuluar një skenë krimi, duke u plagosur vetë dhe duke lënë makinën me gjurmë gjaku. Në Francë ndërtoi një identitet të ri dhe një familje të re.
Ligjërisht, ai nuk mund të ndiqet penalisht për inskenimin, pasi vepra është parashkruar. Megjithatë, prokuroria po shqyrton mundësinë e hapjes së ndonjë çështjeje tjetër.
Rasti ka bërë jehonë të madhe në Gjermani dhe po cilësohet si një nga zhdukjet më të pazakonta që është zgjidhur në dekada.