Hakerët sulmojnë Gjykatën e Hagës. Kush fshihet pas tyre?

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) është bërë sërish objekt i një sulmi kibernetik “të sofistikuar”, teksa vetë institucioni njoftoi se po ndërmerren masa për të kufizuar dëmet dhe për të analizuar ndikimin e incidentit. Sulmi ndodhi javën e kaluar, gjatë kohës kur zhvillohej samiti i liderëve të NATO-s, por gjykata nuk dha detaje mbi përmasat, motivin apo nëse është kompromentuar ndonjë informacion konfidencial.

Në deklaratën zyrtare, GJNP tha se “po kryhet një analizë e ndikimit në të gjithë Gjykatën dhe tashmë po ndërmerren hapa për të zbutur çdo efekt të incidentit”. Kujtojmë se edhe në vitin 2023, gjykata ishte shënjestër e një sulmi të ngjashëm dhe ende nuk e ka rikthyer plotësisht funksionalitetin e rrjetit të saj të brendshëm në selinë e ndërtuar posaçërisht.

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka aktualisht në proces një sërë hetimesh të profilit të lartë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në disa vende të botës. Ajo ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar për përgjegjësi në rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina, si dhe për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për shkak të fushatës ushtarake në Gaza.

Më herët, një agjenci holandeze e inteligjencës zbuloi një tentativë të një spiuni rus për të infiltruar gjykatën nën identitet të rremë brazilian.

Tensionet me Gjykatën Penale Ndërkombëtare janë rritur edhe me Shtetet e Bashkuara. Presidenti Donald Trump ka vendosur sanksione ndaj kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan, si dhe ndaj katër gjyqtarëve të tjerë vetëm në fillim të këtij muaji.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *