Koreja e Veriut pritet të trefishojë numrin e trupave të saj në mbështetje të Rusisë në luftën kundër Ukrainës, duke dërguar 25,000 deri në 30,000 ushtarë shtesë në vijat e frontit, sipas një vlerësimi të inteligjencës ukrainase të siguruar nga CNN.
Trupat pritet të mbërrijnë në muajt në vijim, duke iu shtuar 11,000 ushtarëve të dërguar nga Pheniani në nëntor, nga të cilët rreth 4,000 janë vrarë ose plagosur. Pavarësisht humbjeve, bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve është thelluar ndjeshëm.
Inteligjenca perëndimore konfirmon vlerësimin ukrainas dhe nënvizon se Rusia është e përgatitur të furnizojë trupat koreano-veriore me pajisje, armë dhe municione, duke i integruar ata në njësitë e saj luftarake. Ka gjasa që ata të angazhohen edhe në operacione ofensive në territoret ukrainase të pushtuara.
Raporti thekson se Rusia po përgatit avionë ushtarakë për transportin e trupave dhe se lëvizje të dyshimta janë vërejtur përmes imazheve satelitore, përfshirë një anije të lidhur me vendosjet e mëparshme në një port rus dhe avionë mallrash në aeroportin Sunan të Koresë së Veriut.