Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka propozuar një masë të pazakontë për të frenuar rënien e popullsisë në vend: vendosjen e një takse për personat që nuk janë të martuar.
Ideja, e cila është ende në fazë diskutimi, vjen si reagim ndaj krizës së thellë demografike që po përjeton vendi. Vetëm në vitin 2024, numri i lindjeve ishte 16.061, ndërsa ai i vdekjeve 20.201 – një rënie natyrore prej mbi 4 mijë personash. Gjatë katër viteve të fundit, Maqedonia e Veriut ka humbur mbi 33 mijë banorë.
Sipas Mickoskit, norma e lindjeve ka pësuar një rënie të ndjeshme nga 12.5% në vitin 2010 në vetëm 8.8% në vitin 2024. Ai theksoi se në disa zona tashmë nuk ka më as klasa të para në shkolla, duke sinjalizuar një krizë të thellë të ardhmes arsimore dhe sociale.
“Kemi nevojë për institucione që ruajnë dhe zhvillojnë potencialin rinor,” tha ai, duke theksuar se ky nuk është vetëm një problem i Maqedonisë, por një sfidë për të gjithë kontinentin evropian.