Aksident tragjik në Gjermani, treni del nga shinat

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur pasditen e së dielës pranë qytetit Riedlingen, në landin gjerman të Baden-Württemberg, ku një tren rajonal me rreth 100 pasagjerë ka dalë nga shinat për shkak të një rrëshqitjeje dheu të shkaktuar nga një stuhi e fortë.

Sipas autoriteteve gjermane, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa të paktën 34 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Treni po udhëtonte nga Villingen-Schwenningen drejt Ulm-it dhe ndodhej rreth 45 kilometra larg destinacionit kur ndodhi aksidenti.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë vagonë të përmbysur dhe ekipe emergjence që punojnë për të shpëtuar pasagjerët e bllokuar. Një prej vagonëve ka përfunduar i përmbysur në terren, ndërsa lokomotiva ka rënë nga një shpat rreth pesë metra i lartë, duke u përplasur në pemë.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik. Ministri i Brendshëm i Baden-Württembergut, Thomas Strobl, dhe Ministri Federal i Transportit, Patrick Schnieder, vizituan vendin e ngjarjes, duke e përshkruar situatën si “tronditëse”. Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe ka deklaruar se është “i tmerruar” nga kjo tragjedi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *