Rituali i Dollisë është shpallur zyrtarisht Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Jomateriale nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, duke i dhënë kështu një status të veçantë një prej zakoneve më domethënëse të kulturës shqiptare.
Dollia është më shumë se një zakon – është një rit familjar dhe shoqëror që simbolizon bashkimin, mikpritjen dhe nderimin për të ftuarit. Në qendër të saj qëndron respekti për mikun, me krijimin e një atmosfere të ngrohtë, bujare dhe të mbushur me urime.
Një figurë kyçe në këtë traditë është dollibashi – i pari i tavolinës, i cili së bashku me pritësin e dollisë, udhëheqin ceremoninë me ndërrim rolesh dhe urimesh reciproke që përforcojnë ndjenjën e respektit dhe bashkimit mes të pranishmëve.
I trashëguar brez pas brezi, rituali i Dollisë është kthyer në një kod moral që mishëron elementët më të thellë të trashëgimisë sonë shpirtërore, duke qëndruar i gjallë në të gjitha trevat shqiptare.