Tre persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor. Viktimat janë një 82-vjeçare nga provinca e Latinës, një 77-vjeçar nga Roma dhe një 80-vjeçar në rajonin e Kampanias. Të tre pacientët vuanin nga sëmundje të rënda kronike, raportojnë mediat italiane.
Sipas të dhënave më të fundit nga autoritetet shëndetësore, janë regjistruar gjithsej 44 raste të konfirmuara në vitin 2025, shumica në zonën e Latinës dhe Romës. Aktualisht, 18 pacientë janë të shtruar në spital, dy prej tyre në kujdes intensiv, ndërsa 19 po marrin trajtim në shtëpi dhe 3 janë larguar nga spitali pas përmirësimit.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe në pjesën më të madhe të rasteve shkakton simptoma të lehta ose kalon pa u vënë re. Megjithatë, në më pak se 1% të rasteve, mund të shkaktojë komplikacione të rënda neurologjike si encefalit, paralizë, madje edhe vdekje.
Ky virus u identifikua për herë të parë në vitin 1937 në Ugandë dhe sot është i përhapur në disa kontinente, përfshirë Evropën. Simptomat e zakonshme përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, të përziera, të vjella dhe skuqje të lëkurës, ndërsa format e rënda karakterizohen nga dëmtime në sistemin nervor qendror.
Zonat më të prekura në Itali mbeten Lacio dhe Caserta. Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa parandaluese për të shmangur kontaktin me mushkonjat, veçanërisht në periudhën e verës.