Më shumë se 1.9 milionë banorë në Japoni janë urdhëruar të evakuohen, pasi valët e cunamit kanë goditur bregun lindor të vendit, me përmasa nga 30 deri në 60 cm, ndonëse më të vogla se parashikimet fillestare prej deri në tre metra.
21 prefektura janë prekur nga urdhrat e evakuimit, ku më të goditurat janë Hokkaido, Kanagawa dhe Wakayama. Në Hokkaido, sirenat e cunamit u dëgjuan që në mëngjes dhe pamje dramatike treguan njerëz që strehoheshin në çati.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëron se valët po i afrohen Zonës Metropolitane të Tokios, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për valë të tjera.
Ndërkohë, transporti është pezulluar në disa zona: aeroporti i Sendait mbylli pistën, dhe tragetet në Hokkaido, Aomori dhe Gjirin e Tokios janë ndalur përkohësisht.
Fatmirësisht, nuk raportohen probleme në centralin bërthamor të Fukushimës, ndërsa kompania TEPCO konfirmon se i gjithë personeli është evakuuar në vende më të sigurta, pa incidente.