Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një tarife 25% ndaj mallrave që importohen nga India, si dhe një taksë shtesë për shkak të blerjeve të naftës që ky vend bën nga Rusia. Sipas tij, edhe pse India është një vend mik, tarifat që ajo aplikon ndaj produkteve amerikane janë shumë të larta dhe të padrejta.
Trump theksoi se blerjet e naftës dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia ndihmojnë indirekt luftën e saj në Ukrainë, prandaj administrata e tij do të marrë masa shtesë si “dënim ekonomik”. Vendimi do të hyjë në fuqi të premten dhe është pjesë e një rishikimi më të gjerë të sistemit tarifor ndaj disa vendeve.
Këto masa vijnë pas marrëveshjeve tregtare të arritura me vende si BE, Japonia, Filipinet dhe Indonezia, me synimin për të hapur tregjet ndaj mallrave amerikane dhe për të reduktuar deficitin tregtar. Vitin e kaluar, SHBA kishte një deficit tregtar prej 45.8 miliardë dollarësh me Indinë.
India, vendi me popullsinë më të madhe në botë, shihet nga Uashingtoni si një kundërpeshë strategjike ndaj Kinës, por ka ruajtur lidhje të ngushta me Rusinë dhe nuk i ka mbështetur sanksionet perëndimore.