Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur një ndër projektet më të mëdha për rezidencën presidenciale në 100 vitet e fundit: ndërtimin e një salle të re vallëzimi me kapacitet për 650 persona. Struktura, që do të shtrihet në mbi 8,000 metra katrorë, synon të shërbejë për pritje dhe darka zyrtare për liderë botërorë.
Projekti prej 200 milionë dollarësh do të financohet nga vetë Trump dhe donatorë privatë, njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Puna do të nisë në shtator dhe pritet të përfundojë përpara janarit 2029, kur përfundon mandati i tij i dytë.
“Unë jam i mirë në ndërtimin e gjërave dhe do ta ndërtojmë shpejt. Do të jetë e bukur,” deklaroi Trump, duke theksuar se karakteri historik i Shtëpisë së Bardhë do të ruhet.
Derisa tani, pritjet shtetërore janë mbajtur në tendat e përkohshme në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Me këtë investim, Trump kërkon të lërë gjurmë të qëndrueshme në simbolin më të rëndësishëm të pushtetit amerikan.