Shpërthen Blendi Gonxhja: Palaço me kollare

Ministri Blendi Gonxhja ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës mbi detyrimet tatimore të shoqërisë “Albarent”, të drejtuar nga bashkëshortja e tij.

Sipas tij, opozita po përdor lajme të rreme dhe po kopjon portale, ndërsa faktet flasin ndryshe:

Shuma maksimale e detyrimeve të prapambetura gjatë gjithë aktivitetit të shoqërisë ka qenë vetëm 1.2 milionë lekë, jo 1.2 milionë euro, siç është pretenduar.

Bllokimet nga administrata tatimore janë procedura standarde, që aplikohen për çdo subjekt në raste mungese likuiditeti, dhe zhbllokohen menjëherë pas shlyerjes së detyrimit.

Në vitin 2023, kur pretendohet problematika, Gonxhja thekson se nuk ka qenë ministër.

Në 15 vite aktivitet, shoqëria “Albarent” ka paguar rreth 2.3 milionë euro detyrime, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë detyrim të papaguar.

Shoqëria nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe nuk i është falur asnjë detyrim tatimor.

“Sfidoj çdo baltosës dhe gënjeshtar të provojë akuzat! Çdo person, aq më tepër një forcë opozitare, duhet të çojë faktet në Prokurori. Çdo informacion mbi ‘Albarent’ është i verifikueshëm në Zyrat e Tatimeve, me lejen time publike”, ka theksuar ministri Gonxhja.

______

STATUSI I PLOTË:

GËNJESHTRA FAKE NEWS
Opozitë përtace, kopjace portalesh Gushti, që në gjykatë të mbrohen me “cituam median”, palaço me kollaro, bajatë në shpifje – shkresa të cilës i referohen flet për lirim të titujve të pronësisë, por në asnjë rresht të saj nuk flitet për nivelin e detyrimit tatimor – maksimumi i detyrimeve të prapambetura, gjatë tërë aktivitetit, ka arritur 1.2 milionë Lekë! Është komikisht groteske vlera 1.2 milionë Euro që Balliu Jr. recitoi paturpësisht!
Kush zhvillon biznes të ndershëm, është gjendur përballë mungesës së likuiditetit, sidomos për parapagimet. Ka momente që nuk ke si të paguash edhe pse do. Administrata tatimore ndërmerr masat shtrënguese për garantimin e detyrimit, dhe pas likujdimit të tij, zhbllokon llogaritë dhe titujt e pronësisë, diçka rutinë, njësoj si për të gjithë.
Marrëdhënia e shoqërisë “Albarent”, e drejtuar nga bashkëshortja ime, me fiskun është korrekte. Në vitin 2023 as nuk kam qenë ministër. Në “Librin e Përgjithshëm të Llogarive” jepet se në 15 vite janë derdhur për detyrimet 2.3 milionë Euro, dhe në dokumentin tjetër detyrimet në kohe reale janë 0!

Theksoj faktin që shoqëria “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor, sikundër pretendon “zëri” për turp i Opozitës!

Sfidoj gënjeshtarin dhe çdo baltosës të provojë akuzat! Çdo person, ler më një Opozitë, duhet t’i çojë faktet në Prokurori, ashtu sikurse çdo informacion tatimor mbi “Albarent” mund të vërtetohet në Zyrat e Tatimeve me lejen time publike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *