Rusia, Kina dhe India bashkëjnë forcat dhe sfidojnë SHBA-në me nismë për rend të ri botëror

Në samitin e Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), zhvilluar në Tianjin të Kinës, liderët e Rusisë, Indisë dhe Kinës – Vladimir Putin, Narendra Modi dhe Xi Jinping – theksuan rëndësinë e bashkëpunimit strategjik në një botë në ndryshim.

Pamjet e Putinit dhe Modit duke ecur krah për krah drejt takimit me Xi-në u interpretuan si simbol i afrimit të vendeve të “Jugut Global” përballë rendit të udhëhequr nga Perëndimi.

Samiti nxori në pah ndarjet gjeopolitike, me SHBA-të që kritikuan Indinë për marrëdhëniet e ngushta me Rusinë, sidomos në fushën e energjisë dhe armëve. Megjithatë, Modi e cilësoi raportin me Moskën si “të veçantë dhe të privilegjuar”, duke shtuar se India mbështet përfundimin e shpejtë të luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër, Putin fajësoi Perëndimin për nisjen e konfliktit dhe përmendi një “kuptim të përbashkët” të arritur me Donald Trump në një takim të fundit, pa dhënë hollësi.

Në deklaratën përfundimtare, vendet anëtare dënuan sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, shprehën shqetësim për krizën humanitare në Gaza dhe riafirmuan parimin e vetëvendosjes së popujve – pa përmendur drejtpërdrejt Ukrainën.

Xi Jinping, në hapje të punimeve, kritikoi “mentalitetin e Luftës së Ftohtë” dhe promovoi një nismë të re për qeverisje globale, me synim krijimin e një rendi më të drejtë e të barabartë.

Ndër vendimet konkrete u përfshi themelimi i një banke të përbashkët zhvillimi si dhe marrëveshje në fusha kyçe si bujqësia, teknologjia, shëndetësia dhe mbrojtja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *