Ndotja e ajrit në Ballkanin Perëndimor mbetet problem i madh, kryesisht për shkak të ngrohjes së shtëpive me qymyr, impianteve të vjetëruara dhe makinave të vjetra.
Sipas “Reuters”, qytetet si Beogradi dhe Sarajeva shpesh figurojnë në krye të listave për ndotjen globale. Ky fenomen ka ndikime negative në shëndet dhe mund të dëmtojë ambiciet e këtyre vendeve për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, i cili ka standarde strikte për emetimet.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përmirësuar angazhimet për reduktimin e emetimeve, por sfidat ekonomike ngadalësojnë progresin. Kosova, për shembull, mbështetet ende shumë në qymyr për energji, me një kalim të mundshëm në energji të rinovueshme që mund të kushtojë deri në 4.5 miliardë Euro.
Ndikimi i ndotjes është i theksuar gjatë dimrit, ku smogu mbulon qytetet si Beograd dhe Sarajeva, duke shkaktuar nivele të rrezikshme të ndotjes. Të dhënat e OBSH-së tregojnë një shkallë të lartë vdekshmërie nga ndotja në këto shtete, duke e bërë problemin më të ndjeshëm për shëndetin publik.