Shefi i sigurisë së Iranit: Amerikanët vetëm flasin për bisedime, por nuk ulen në tryezë dhe padrejtësisht na fajësojnë për këtë

Shefi i sigurisë i Iranit, Ali Larijani, deklaroi se Teherani është i gatshëm për bisedime bërthamore me Shtetet e Bashkuara, por refuzon çdo kufizim mbi programin e tij raketor.

“Rruga për negociata me SHBA-në nuk është mbyllur. Por, amerikanët janë ata që vetëm flasin për bisedime, por nuk ulen në tryezë dhe padrejtësisht fajësojnë Iranin për këtë”, tha Larijani, i cili është sekretar i Këshillit të lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

Deklaratat e Larijanit vijnë pas vendimit të fuqive evropiane për të rivendosur sanksionet e OKB-së ndaj Iranit dhe ndërprerjes së bisedimeve bërthamore në qershor, pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane. Pas këtyre ngjarjeve, Irani pezulloi bashkëpunimin me agjencinë bërthamore të OKB-së dhe kërkon garanci kundër veprimeve ushtarake përpara rifillimit të negociatave.

Qeveritë perëndimore mbeten të shqetësuara për programin raketor të Iranit, ndërsa Franca ka kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të adresojë edhe ambiciet raketore dhe ndikimin rajonal të Teheranit. Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se SHBA mbetet e gatshme për “diplomaci të sinqertë” dhe synon një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen bërthamore iraniane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *