Sulm ushtarak në Venezuelë, Trump po shqyrton mundësinë!

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e sulmeve ushtarake kundër karteleve të drogës në Venezuelë, raportoi CNN, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Pentagoni ka vendosur tetë anije luftarake dhe një nëndetëse në Karaibet lindore, ndërsa një sulm me raketa ndaj një anijeje të dyshuar për kontrabandë droge nga Venezuela këtë javë shihet si hap i parë në këtë operacion. Sipas raportimeve, fushata e mundshme synon jo vetëm trafikun e drogës, por edhe dobësimin e regjimit të presidentit Nicolas Maduro.

Gjatë mandatit të tij, SHBA ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Venezuelës, duke goditur tregtinë e naftës dhe sektorin financiar. Muajin e kaluar, shpërblimi për kapjen e Maduros u rrit në 50 milionë dollarë.

Trump ka mohuar se synon ndryshim regjimi, por e cilësoi procesin zgjedhor të Venezuelës “shumë të çuditshëm”. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se SHBA do të “luftojë kundër karteleve të drogës kudo që janë”.

Maduro i ka hedhur poshtë akuzat për trafik droge, duke paralajmëruar se Venezuela do të shpallet një “republikë e armatosur” në rast sulmi. Ai krahasoi akuzat ndaj vendit të tij me pretendimet e rreme për armë të shkatërrimit në masë në Irak, që çuan në pushtimin amerikan të vitit 2003.

Përshtatur nga: CNN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *