Pas protestave të fuqishme kundër korrupsionit që tronditën Nepalin dhe sollën më shumë se 50 viktima, ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Sushila Karki, 73 vjeç, është emëruar kryeministre e përkohshme.
Ajo u betua në një ceremoni të shkurtër, duke u bërë gruaja e parë që drejton vendin himalajan, pasi arriti një marrëveshje me udhëheqësit e protestave.
Ndalimi i rrjeteve sociale, që ndezi pakënaqësinë publike, u hoq të hënën, por deri atëherë lëvizja kishte marrë përmasa masive. Turmat e zemëruara dogjën ndërtesat e parlamentit dhe qeverisë në Katmandu, duke detyruar ish-kryeministrin KP Sharma Oli të japë dorëheqjen.
Karki, e njohur për integritetin e saj, po gëzon mbështetjen e udhëheqësve studentorë të “Gjeneratës Z” për të drejtuar tranzicionin politik të vendit.