Autoritetet turke kanë nisur një hetim të gjerë për përdorim të dyshuar droge, në të cilin janë përfshirë 19 figura të njohura të ekranit dhe muzikës. Mediat vendase raportojnë se bëhet fjalë për këngëtarë dhe aktorë të njohur të televizionit turk, të cilët janë thirrur gjatë ditës së sotme për t’u marrë në pyetje dhe për t’iu nënshtruar analizave të gjakut.
Sipas prokurorëve të çështjes, këta persona dyshohen për konsumim të substancave narkotike. Ligji turk parashikon që, në rastet kur përdorimi është për qëllime vetjake, gjykata mund të urdhërojë trajtim, rehabilitim ose lirim me kusht në vend të dënimit me burg.
Mediat turke theksojnë se ky hetim vjen në një periudhë kur shumë artistë dhe figura me qëndrime kritike ndaj qeverisë së Rexhep Tajip Erdogan janë bërë objekt i ndjekjeve ligjore.
Në vitet e fundit, Turqia ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të luftuar si përdorimin ashtu edhe trafikimin e lëndëve narkotike.