Sarah Hartsfield, 50-vjeçare nga Teksasi, ish-ushtarake dhe nënë e katër fëmijëve, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortit të saj, Joseph Hartsfield, në vitin 2023. Ajo e kishte helmuar atë me një dozë vdekjeprurëse insuline, ndërsa prova treguan se kishte vonuar me orë të tëra thirrjen e ndihmës së shpejtë.
Sipas prokurorisë, Hartsfield besonte se do t’ia dilte pa pasoja, pasi edhe në të kaluarën kishte dalë e pafajshme në rrethana të ngjashme. Në vitin 2018, ajo kishte qëlluar për vdekje të fejuarin e saj, David Bragg, ngjarje që në atë kohë u konsiderua vetëmbrojtje, por rasti është rishqyrtuar pas dënimit aktual.
Prokurorja Mallory Vargas tha se Hartsfield priste të shpëtonte edhe këtë herë, “sepse kështu ka ndodhur gjithmonë”. Ndërkohë, vëllai i viktimës ka dëshmuar se Joseph i kishte shprehur frikën se gruaja do ta vriste në gjumë.
Pas vetëm dy orësh diskutimi, juria e shpalli fajtore për vrasje me dashje. Autoritetet kanë hapur edhe raste të tjera të mëparshme në disa shtete ku ajo ka jetuar.