Rreth 4,400 persona janë abuzuar seksualisht nga priftërinjtë katolikë në Itali që nga viti 2020, sipas një raporti të publikuar më 24 tetor nga organizata Rete L’Abuso, grupi më i madh i viktimave të abuzimit klerikal në vend.
Raporti tregon se janë regjistruar 1,250 raste të dyshuara abuzimi, shumica me viktima të mitura, ku 1,106 prej autorëve të dyshuar janë priftërinj. Në total, 4,625 persona konsiderohen viktima – nga të cilët 4,395 u abuzuan nga priftërinjtë, dhe mbi 4,400 ishin nën 18 vjeç, kryesisht djem.
Megjithëse mijëra priftërinj rezultojnë të dyshuar, vetëm një numër i vogël është përballur me drejtësinë kishtare – 76 janë çuar në gjykata, 17 janë pezulluar përkohësisht, ndërsa vetëm 18 janë shkarkuar nga detyra.
Rete L’Abuso, e cila nuk njihet zyrtarisht nga Kisha apo shteti, bazon të dhënat në dëshmitë e viktimave, dokumente gjyqësore dhe raportime mediatike. Ndërkohë, Kisha Katolike në Itali akuzohet prej vitesh për mungesë transparence në trajtimin e këtyre rasteve.
Papa i ri Leoni XIV, që këtë javë u takua për herë të parë me të mbijetuarit, u kërkoi peshkopëve “të mos fshehin akuzat për shkelje”, duke vazhduar linjën e nisur nga paraardhësi i tij, Papa Françesku, i cili e kishte shpallur luftën ndaj abuzimeve si prioritet të papatit të tij.