SHBA godet një anije në Karaibe, 6 të vrarë

Në një operacion ushtarak të kryer gjatë natës në Detin e Karaibeve, forcat amerikane kanë shkatërruar një anije që dyshohet se përdorej nga një bandë venezuelase për trafik droge. Si pasojë e sulmit, janë vrarë gjashtë persona, bëri të ditur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, më 24 tetor.

Ky është sulmi i dhjetë i Shteteve të Bashkuara ndaj objektivave të ngjashme në Karaibe dhe Paqësorin lindor që prej fillimit të shtatorit, me një bilanc total prej të paktën 43 të vrarësh, sipas përllogaritjeve të AFP-së bazuar në të dhëna amerikane.

Në një postim në platformën “X”, Hegseth publikoi pamje të anijes që shpërthen pas goditjes, duke theksuar se “gjashtë narkoterroristë ndodheshin në bord gjatë sulmit, i cili u zhvillua në ujëra ndërkombëtare dhe ishte i pari i kryer gjatë natës”.

“Nëse jeni narkoterroristë dhe kontrabandoni drogë në hemisferën tonë, do të trajtoheni si Al-Kaida,” paralajmëroi ai.

Fushata ushtarake e nisur nga Uashingtoni ka shtuar tensionet në rajon. Venezuela ka akuzuar SHBA-në se po kërkon të rrëzojë presidentin Nicolas Maduro, i cili pak ditë më parë deklaroi se vendi i tij ka në dispozicion 5 mijë raketa tokë–ajër për t’u përballur me forcat amerikane.

Burimi: REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *