Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk ka arritur të krijojë koalicion për formimin e qeverisë.
“Asnjëra nga partitë parlamentare që ftuam nuk pranoi të hynte në marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarëve përcaktoi nevojën për një koalicion qeverisës.
Po të ishte pranuar oferta jonë për bashkëpunim, sot do ta kishim qeverinë e re dhe numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, sfidë që na pret pas katër muajsh.
Për shkak të mungesës së gatishmërisë nga partitë e tjera për të marrë përgjegjësinë që ua ka dhënë qytetari me votë, sot ndodhemi përballë një situate ku qeveria propozohet për votim jo si produkt i një koalicioni politik, por si akt shërbimi ndaj vendit,” – deklaroi Kurti.