Qindra telefona celularë që ndodheshin në një autobus pasagjerësh, i cili u përplas me një motor në Indi, përkeqësuan zjarrin e fuqishëm ku të paktën 20 persona humbën jetën, sipas raportimeve.
Rreth 40 pasagjerë ndodheshin në autobusin që udhëtonte midis Hyderabad (në shtetin Telangana) dhe Bengaluru (në Karnataka), më 24 tetor, kur mjeti u përplas me një motor, rezervuari i dëmtuar i të cilit shkaktoi zjarrin fatal.
Ekspertët mjekoligjorë kanë zbuluar se autobusi transportonte një ngarkesë me 234 telefona celularë që i përkisnin një biznesmeni. Bateritë me litium-jon të smartfonëve e përforcuan zjarrin pas përplasjes, sipas shefit të policisë së Kurnool, Vikrant Patel.
Aksidenti ndodhi në fshatin Chinnatekuru, afër Kurnoolit, rreth 210 kilometra në jug të Hyderabadit.
Një biznesmen nga Hyderabad kishte dërguar telefonat me vlerë 4.6 milionë rupia (rreth 39 mijë paund) për t’u dorëzuar në një magazinë të një faqeje tregtie elektronike në Bengaluru.
“Bateritë e autobusit, prania e materialeve të djegshme në brendësi dhe ngarkesa me telefona celularë e përkeqësuan zjarrin që çoi në këtë ngjarje tragjike,” tha ai për News18.
Dëshmitarët thanë se dëgjuan zhurma shpërthimesh të baterive ndërsa flakët përfshinë autobusin.
Situata u përkeqësua më tej kur bateritë elektrike të sistemit të kondicionimit të ajrit morën gjithashtu flakë dhe shpërthyen, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Zjarrfikësve të Andhra Pradesh, P. Venkataraman.
Sipas tij, nxehtësia e madhe shkriu edhe fletët e aluminit në dyshemenë e autobusit.
Ai shtoi se besohet që zjarri të ketë nisur në pjesën e përparme të autobusit për shkak të rrjedhjes së karburantit. Motori ishte bllokuar poshtë mjetit dhe karburanti i derdhur, i ndezur nga nxehtësia ose një shkëndijë, shkaktoi zjarrin që përfshiu menjëherë të gjithë autobusin.
Shumica e pasagjerëve ishin në gjumë në momentin e aksidentit. Autobusi u dogj plotësisht, ndërsa edhe drejtuesi i motorit humbi jetën.
Kryeministri Narendra Modi dhe kryeministri i Andhra Pradesh, N. Chandrababu Naidu, shprehën dhimbjen e tyre për ngjarjen dhe ngushëlluan familjet e viktimave.
Ngjarje të tilla me autobusë janë të zakonshme në Indi, pasi operatorët privatë shpesh shkelin rregullat e sigurisë dhe mbingarkojnë mjetet me pasagjerë.
Më herët këtë muaj, të paktën 20 persona humbën jetën pasi një autobus mori flakë në shtetin verior të Rajasthanit. Mendohet se një qark i shkurtër elektrik shkaktoi zjarrin në autobusin që udhëtonte mes qyteteve Jaisalmer dhe Jodhpur.
📰 The Independent