Kancelari gjerman, Merz: Refugjatët sirianë të kthehen në atdhe, përndryshe do të dëbohen

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje për kthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre, duke deklaruar se periudha e luftës në Siri “ka përfunduar” dhe se nuk ka më arsye që ata të qëndrojnë në Gjermani.

Gjatë një vizite në qytetin verior Husum, Merz u shpreh se autoritetet gjermane janë të gatshme të ndërmarrin edhe masa dëbimi ndaj atyre që refuzojnë të kthehen vullnetarisht. “Për ata që nuk duan të kthehen, ne sigurisht që mund t’i dëbojmë,” tha ai.

Deklaratat e tij vijnë pas një debati të ndezur mbi politikën e migracionit, teksa qeveria gjermane përballet me presion të shtuar nga partitë e djathta që kërkojnë masa më të ashpra ndaj azilkërkuesve.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, i cili vizitoi Damaskun javën e kaluar, tha se mundësitë për kthimin e sigurt të refugjatëve mbeten “shumë të kufizuara”, për shkak të dëmeve të mëdha që lufta ka shkaktuar në infrastrukturën e vendit.

Deklaratat e Wadephul shkaktuan reagime brenda Unionit Kristian Demokratik (CDU), partisë konservatore që udhëheq Merz, e cila kërkon të ruajë qëndrimin e saj të ashpër ndaj migracionit për të mos humbur terren përballë forcave të ekstremit të djathtë.

“Siria ka nevojë për të gjithë forcën e saj, veçanërisht për qytetarët e vet, që të rindërtohet,” theksoi kancelari, duke shtuar se është i bindur që shumë sirianë do të kthehen me dëshirë.

Aktualisht, në Gjermani jetojnë rreth një milion shtetas sirianë, shumica e të cilëve mbërritën gjatë valës së madhe të refugjatëve në vitet 2015–2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *