520 milionë fëmijë në gjithë botën jetuan në zona konflikti gjatë vitit 2024

Rreth 520 milionë fëmijë në gjithë botën kanë jetuar në zona konflikti më 2024, 47 milionë më shumë sesa në vitin paraprak, ose shifra më e lartë e regjistruar prej vitit 2005, sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për mbrojtje të fëmijëve, Save the Children. Organizata ka thënë se kjo nënkupton që një në pesë fëmijë në gjithë botën ka jetuar në një konflikti aktiv më 2024.

Sipas raportit, janë identifikuar 41.763 “shkelje të mëdha kundër fëmijëve” vetëm vitin e kaluar, çka përbën 30 për qind rritje prej vitit 2023, njëherësh shifër rekorde. Më shumë se gjysma e incidenteve kanë ndodhur në katër rajone: në territoret e pushtuara palestineze, në Republikën Demokratike të Kongos, Nigeri dhe Somali.

Në përgjithësi janë regjistruar 61 konflikte nëpër shtete të ndryshme, edhe kjo shifra më e lartë prej vitit 1946. Florian Westphal, shef ekzekutiv i degës së Save the Children në Gjermani, ka bërë thirrje për veprime politike urgjente.

Në kohën e rritjes së përforcimeve ushtarake në botë, mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë në qendër të politikave të sigurisë, ka thënë ai, duke shtuar se është skandaloze që qeveritë po shpenzojnë më shumë në armë, sesa në mbrojtjen e fëmijëve në zonë konflikti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *