SHBA kryen një tjetër sulm vdekjeprurës në Karaibe, tre të vrarë

Ushtria amerikane ka ndërmarrë një tjetër sulm në ujërat e Karaibeve, duke shkatërruar një anije dhe vrarë tre persona, konfirmoi Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

“Sot, me urdhër të Presidentit Trump, Departamenti i Luftës kreu një sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje të operuar nga një organizatë e shpallur terroriste,” shkroi Hegseth në platformën X, duke sqaruar se anija po transportonte lëndë narkotike në ujëra ndërkombëtare. Ai shtoi se asnjë nga forcat amerikane nuk është lënduar gjatë operacionit.

Sipas të dhënave zyrtare, ushtria amerikane ka vrarë deri më tani 70 persona në 17 sulme, duke shkatërruar 18 anije që, sipas Uashingtonit, ishin pjesë e një rrjeti që furnizon tregun amerikan me drogë. Nga këto sulme kanë mbijetuar vetëm tre persona: dy janë ndaluar përkohësisht nga Marina Amerikane dhe më pas janë kthyer në vendet e tyre, ndërsa i treti dyshohet se ka humbur jetën pas një kërkimi nga Marina Meksikane.

Administrata Trump i ka njoftuar Kongresit se SHBA ndodhet tashmë në “konflikt të armatosur” kundër karteleve të drogës, duke i klasifikuar të vrarët si “luftëtarë të paligjshëm” dhe duke pretenduar të drejtën për të kryer sulme vdekjeprurëse pa ndërhyrje gjyqësore, në bazë të një vendimi të klasifikuar të Departamentit të Drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *