Dhjetë ditë përpara se të betohet si President i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pritet të dëgjojë vendimin për çështjen e tij penale që lidhet me 34 akuza për mashtrim financiar, për të cilat u shpall fajtor në maj të vitit të kaluar.
Trump akuzohet për fshehjen e një pagese prej 130,000 dollarësh ndaj aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels. Pagesa është konsideruar e paligjshme dhe dyshohet të jetë bërë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, për të parandaluar publikimin e pretendimeve se Trump kishte pasur marrëdhënie me Daniels.
Gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchan, ka njoftuar se vendimi do të jepet më 10 janar. Sipas gjykatësit, Trump nuk do të përballet me burg, gjobë apo dënime alternative, pasi do të përdoret formula e “lirimit të pakushtëzuar”. Kjo i jep mundësinë ish-presidentit të paraqitet personalisht ose virtualisht në seancën dëgjimore.