Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka lëshuar një deklaratë të fortë në drejtim të Shteteve të Bashkuara, teksa akuzat për trafik droge dhe presioni ndërkombëtar ndaj Caracas-it po rriten.
Gjatë një ceremonie në Karakas, ku u shënua 200-vjetori i dhurimit të Shpatës së Perusë – simbol historik i heroit të pavarësisë, Simon Bolivar – Maduro u paraqit me uniformë ushtarake dhe me shpatën legjendare në dorë, duke e përdorur si simbol të rezistencës kombëtare.
“Duhet të jemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të kësaj toke të bekuar nga kërcënimet apo agresionet imperialiste, pavarësisht se nga vijnë. Atdheu është i shenjtë dhe duhet respektuar,” deklaroi ai përpara mijëra qytetarëve të pranishëm.
Maduro paralajmëroi për “kërcënime të reja imperialiste nga e djathta ekstreme ndërkombëtare” dhe nënvizoi se “dështimi nuk është një opsion” për vendin.
Fjalimi i tij vjen në një moment kur SHBA-të po përgatiten të nisin operacione të reja kundër trafikut të drogës në rajonin e Venezuelës. Sipas raporteve, të paktën 80 persona janë vrarë në ndërhyrje ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në ujërat ndërkombëtare, shumë prej tyre me origjinë venezueliane.