Australi, ndalimi i parë global: Fëmijët nën 16 vjeç “shkëputen” nga rrjetet sociale

Fëmijët në mbarë Australinë u zgjuan të mërkurën pa mundësi të aksesojnë llogaritë e tyre në rrjetet sociale, pasi vendi zyrtarisht nisi zbatimin e ndalimit të parë në botë për përdoruesit nën 16 vjeç. Masa historike vjen si përpjekje për t’i mbrojtur të miturit nga algoritmet që nxisin varësinë dixhitale.

Vendimi, i paprecedentë në nivel global, po vëzhgohet nga afër nga ligjvënës të shumë shteteve, të cilët mund ta marrin Australinë si shembull për rregullimin e platformave të mëdha teknologjike.

Dhjetë rrjete sociale – Instagram, Facebook, Threads, Snapchat, YouTube, TikTok, Kick, Reddit, Twitch dhe X – kanë deklaruar se do të zbatojnë rregullat e reja duke përdorur teknologji verifikimi të moshës për identifikimin e përdoruesve nën 16 vjeç dhe pezullimin e llogarive të tyre. Megjithatë, disa prej tyre shprehen skeptike se ky ndalim do të rrisë realisht sigurinë e fëmijëve.

Kryeministri australian Anthony Albanese e quajti këtë një moment historik dhe “një ditë krenarie” për vendin.
“Kjo është dita kur familjet australiane po marrin përsëri pushtetin nga kompanitë e mëdha të teknologjisë. Po mbrojmë të drejtën e fëmijëve për të qenë fëmijë dhe po u japim prindërve më shumë qetësi mendore,” deklaroi ai, duke pranuar se zbatimi i ligjit nuk do të jetë i lehtë.

Sipas legjislacionit të ri, platformat duhet të provojnë se kanë ndërmarrë “hapa të arsyeshëm” për të mbyllur llogaritë ekzistuese të përdoruesve nën 16 vjeç dhe për të penguar krijimin e llogarive të reja. Mospërputhja me ligjin mund të çojë në gjoba të rënda që arrijnë deri në 49.5 milionë dollarë australianë (rreth 32 milionë dollarë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *