Franca pritet të shqyrtojë në muajin janar një projektligj që synon kufizimin e fortë të përdorimit të teknologjisë nga të rinjtë, duke ndaluar aksesin në mediat sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç dhe përdorimin e telefonave celularë në shkollat e mesme.
Projektligji do të shqyrtohet më 8 janar nga Këshilli i Shtetit dhe parashikon që ndalimi i telefonave celularë në shkollat e mesme të hyjë në fuqi nga viti i ri shkollor, në shtator 2026. Sipas burimeve qeveritare, nisma është hartuar në përputhje me legjislacionin evropian, për të shmangur pengesat ligjore që çuan në dështimin e një përpjekjeje të mëparshme.
Presidenti Emmanuel Macron ka shprehur më herët mbështetjen për zgjerimin e ndalimit të telefonave celularë në arsimin e mesëm dhe për vendosjen e kufizimeve të forta ndaj rrjeteve sociale për të miturit nën 15 ose 16 vjeç.
Aktualisht, ndalimi i telefonave celularë është në fuqi nga kopshti deri në arsimin e mesëm që prej vitit 2018, edhe pse zbatimi i tij ka qenë shpesh problematik. Qeveria franceze e mbështet këtë nismë në studime të shumta shkencore që paralajmërojnë për rreziqet e mediave sociale për shëndetin mendor të të rinjve dhe ndikimin negativ të telefonave në përqendrimin e nxënësve.