SHBA shkëputet nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, Trump firmos vendimin që i jep fund financimit për agjenda globaliste


Një tjetër hap i fortë drejt izolimit ndërkombëtar vjen nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar të mërkurën një shpallje me të cilën SHBA do të tërhiqet nga 35 organizata ndërkombëtare që nuk janë pjesë e Kombeve të Bashkuara, si dhe nga 31 entitete të OKB-së, të cilat administrata i cilëson si në kundërshtim me interesat kombëtare amerikane.


Sipas një deklarate zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, këto organizata promovojnë “politika radikale klimatike, qeverisje globale dhe programe ideologjike” që, sipas administratës Trump, minojnë sovranitetin dhe fuqinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, lista konkrete e organizatave nga të cilat SHBA do të tërhiqet nuk është bërë publike.


Agjencia e lajmeve Reuters raporton se vendimi vjen pas një rishikimi të gjerë të të gjitha organizatave, konventave dhe traktateve ndërqeveritare ndërkombëtare ku SHBA është anëtare ose palë.


“Ky veprim do t’i japë fund financimit dhe përfshirjes së taksapaguesve amerikanë në entitete që shtyjnë përpara agjenda globaliste mbi prioritetet e SHBA-së, ose që trajtojnë çështje të rëndësishme në mënyra joefikase”, thuhet në deklaratë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, synimi është që fondet publike të ridrejtohen drejt misioneve që përputhen drejtpërdrejt me interesat kombëtare të vendit.


Pavarësisht kërkesave për sqarime shtesë, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje të mëtejme mbi vendimin apo listën e plotë të organizatave të përfshira.


Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, rreth një vit më parë, presidenti Trump ka ndërmarrë disa hapa për të reduktuar angazhimin e SHBA-së në strukturat ndërkombëtare. Ai ka shkurtuar fondet për OKB-në, ka ndërprerë bashkëpunimin me Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe e ka tërhequr vendin nga UNESCO.


Në të njëjtën linjë, Trump ka paralajmëruar edhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga Marrëveshja e Parisit për klimën, duke theksuar se prioritet i administratës së tij mbetet mbrojtja e interesave ekonomike dhe sovranitetit amerikan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *