Trump paralajmëron Iranin: Masa shumë të forta nëse ekzekutohen protestuesit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar ndjeshëm tonet ndaj Iranit, duke paralajmëruar veprime të forta në rast se autoritetet iraniane vazhdojnë me ekzekutimin e protestuesve.


Në një intervistë për CBS News, Trump deklaroi se SHBA-ja do të ndërmarrë “masa shumë të forta” nëse Irani vendos të varë protestuesit, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme.


Paralajmërimi vjen në një moment kritik, pasi organizata për të drejtat e njeriut Hengaw ka raportuar se një protestues 26-vjeçar, i identifikuar si Erfan Soltani, pritet të ekzekutohet të martën në Iran.

Organizata, me seli në Norvegji, bën me dije se Soltani, nga qyteti Fardis, u arrestua gjatë protestave që shpërthyen në zonën e tij.
Sipas Hengaw, i riu po përballet me ekzekutim të menjëhershëm, pas një procesi gjyqësor të cilësuar si i shpejtë dhe i errët, duke ngritur shqetësime serioze mbi respektimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.


Deklaratat e Trump rrisin më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit, në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim trajtimin e protestuesve dhe përdorimin e dënimit me vdekje në Iran.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *