A e keni atë kolegun që takoni çdo ditë, i cili nuk lodhet kurrë nga tregimet e tij romantike, monopolizon bisedat gjatë pushimit të drekës dhe pret vazhdimisht miratimin tuaj? Apo ndoshta një prind që ju telefonon disa herë në javë për pyetje teknike, kritikon stilin tuaj të jetesës dhe pret që ju të organizoni takimet e tij me mjekun?
Një studim i ri, i botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences, tregon se njerëzit që na shkaktojnë stres të vazhdueshëm mund të lidhen me përshpejtim të plakjes biologjike. Ndërkohë që marrëdhëniet e shëndetshme sociale kanë efekt pozitiv në shëndet, këta njerëz stresues duket se kontribuojnë në plakje më të shpejtë.
Efekti është kumulativ: sa më shpesh të bashkëveproni me individë që ju marrin energji, aq më shumë rritet plakja biologjike. Studiuesit zbuluan se çdo person i bezdisshëm mund të përshpejtojë procesin e plakjes me mesatarisht 1.5% në vit – një efekt që, mbi një dekadë, përkthehet në rreth dy muaj shtesë të plakjes biologjike për çdo individ të vështirë.
Arsyeja lidhet me ngjashmërinë me efektet e stresorëve tradicionalë: këta njerëz rrisin inflamacionin, dobësojnë imunitetin dhe shtojnë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Femrat raportuan më shpesh prani të individëve të vështirë në rrethin e tyre shoqëror, ndërsa ata me shëndet të dobët ose një fëmijëri të vështirë ishin më të predispozuar ndaj ndikimit të këtyre njerëzve.
Jo të gjithë njerëzit bezdisshëm ndikojnë njësoj: anëtarët e familjes (prindër, vëllezër, motra) duket se rrisin më shumë plakjen e përshpejtuar sesa shokët ose kolegët. Një ngushëllim i vogël: studiuesit nuk gjetën lidhje të rëndësishme midis bashkëshortëve të bezdisshëm dhe plakjes biologjike të përshpejtuar.
Në thelb, marrëdhëniet me individë që thithin energjinë tuaj mund të kenë një efekt të dukshëm mbi trupin dhe shëndetin tuaj në afat të gjatë – një arsye shtesë për të zgjedhur kujdesshëm me kë kaloni kohën.