Një ilaç kundër dhimbjes për fëmijë, i shitur në të gjithë vendin, është tërhequr nga tregu pasi janë raportuar prani materialesh të huaja në produkt, sipas rregullatorëve federalë.
Rreth 90,000 shishe të “Ibuprofen Oral Suspension për fëmijë” janë tërhequr pasi konsumatorët raportuan se kishin gjetur një “masë në formë xheli dhe grimca të zeza” brenda medikamentit, sipas një raporti zbatimi të publikuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Ibuprofeni në formë të lëngshme, i prodhuar në Indi, është prodhuar për kompaninë Taro Pharmaceuticals USA, Inc. dhe është shpërndarë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, thanë rregullatorët.
Tërheqja nga tregu u iniciua nga Strides Pharma Inc., një kompani me bazë në New Jersey, më 2 mars dhe vazhdon ende.
Medikamenti i prekur merret në doza prej 100 miligramësh për lugë çaji dhe shitet në shishe 4 ons (rreth 118 ml).
Seritë e prekura janë 7261973A dhe 7261974A, me datë skadence 31 janar 2027.
Zyrtarët federalë e kanë klasifikuar këtë veprim si një tërheqje të Klasës II — që do të thotë se produkti mund të shkaktojë probleme shëndetësore të përkohshme ose të kthyeshme mjekësisht, ndërsa rreziku për dëmtime serioze apo vdekje është i ulët.
Kompania e nisi tërheqjen në mënyrë vullnetare pasi mori ankesa për prani materialesh të huaja në shishe. Raporti i FDA-së nuk specifikon sa ankesa janë marrë dhe nuk përmend raste dëmtimesh.
Ibuprofeni është një ilaç i përdorur gjerësisht për lehtësimin e dhimbjeve, uljen e temperaturës dhe inflamacionit, duke bllokuar substanca në trup që shkaktojnë këto simptoma. Ai i përket grupit të barnave të njohura si anti-inflamatorë josteroidë (NSAID).
Në SHBA, ai shitet si pa recetë ashtu edhe me recetë, më së shumti nën emra tregtarë si Advil dhe Motrin, si edhe në versione gjenerike ose të markave të dyqaneve.
Ibuprofeni gjendet në forma të ndryshme, përfshirë tableta, kapsula dhe suspensione të lëngshme për fëmijë.
Në doza të zakonshme përdoret për trajtimin e dhimbjeve të lehta deri mesatare, si dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe dhimbje menstruale, si dhe për uljen e temperaturës.
Në doza më të larta, me recetë, përdoret edhe për menaxhimin e sëmundjeve kronike si artriti, duke reduktuar ënjtjen, ngurtësinë dhe dhimbjen e kyçeve.
PËRKTHYER NGA: NEW YORK POST