Ndodh në Brazil, hajduti vjedh makinën bashkë me foshnjën 2-muajshe brenda

Një ngjarje tronditëse është regjistruar në São Paulo, ku një burrë u arrestua pasi vodhi një makinë brenda së cilës ndodhej një foshnje vetëm dy muajshe.


Sipas policisë, nëna e kishte lënë për pak çaste foshnjën në automjetin e parkuar pranë një qendre për aktivitete pas shkollore, ndërsa shkoi të merrte vajzën e saj 7-vjeçare. Në ato momente, një person hyri në makinë dhe u largua me shpejtësi, pa e ditur ose pa u shqetësuar për praninë e foshnjës.


Autoritetet reaguan menjëherë pas denoncimit, duke aktivizuar patrullat në zonë. Automjeti u lokalizua rreth 2.7 kilometra larg, në një rrugë të ngarkuar. I dyshuari tentoi të arratisej, por u bllokua nga trafiku, braktisi makinën me foshnjën brenda dhe u përpoq të largohej me vrap.


Ai rrëshqiti në rrugë dhe u ndalua nga qytetarë të rastit, të cilët e mbajtën deri në mbërritjen e policisë. Foshnja u gjet shëndoshë e mirë.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe videot e shpërndara në rrjet tregojnë momentin dramatik të vjedhjes dhe ndjekjen nga qytetarët, përfshirë edhe nënën me vajzën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *