Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka rikthyer në qendër të debatit publik çështjen e dosjeve të Jeffrey Epstein, e cila sipas saj ka humbur vëmendjen për shkak të zhvillimeve të fundit ndërkombëtare.
Në një episod të fundit të podkastit të saj, artistja shprehu shqetësimin për mënyrën se si mediat po e trajtojnë këtë skandal, duke theksuar se fokusi po zhvendoset nga viktimat drejt elementeve sensacionale.
Ajo kritikoi gjuhën e përdorur në raportime, duke e cilësuar si të dëmshme për të mbijetuarit, shumica e të cilëve kanë qenë të mitur.
Lipa u ndal veçanërisht te theksi i tepruar mbi detaje si festat private apo përfshirja e figurave të njohura, duke theksuar se kjo qasje errëson thelbin e çështjes – abuzimin dhe trafikimin e të miturve. Sipas saj, një raportim i tillë zbeh seriozitetin e krimeve dhe largon vëmendjen nga drejtësia për viktimat.
Reagimi i saj vjen në një moment kur diskutimi publik mbi çështjen Epstein është përqendruar kryesisht te emrat e njohur dhe bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell.
Artistja, e njohur për qëndrimet e saj mbi çështje sociale dhe humanitare, ka bërë thirrje për një raportim më të ndjeshëm dhe të përgjegjshëm, duke vendosur në plan të parë viktimat dhe nevojën për drejtësi.