Greqia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Santorini për shkak të lëkundjeve sizmike të vazhdueshme
Greqia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin e Santorinit për shkak të lëkundjeve sizmike të vazhdueshme që kanë tronditur rajonin. Autoritetet e Mbrojtjes Civile njoftuan se kjo gjendje do të jetë në fuqi deri më 1 mars.
Mediat vendase raportojnë se lëkundjet vazhdojnë të trondisin zonën, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve. Gjatë mbrëmjes së së mërkurës, u regjistruan gjashtë tërmete me magnitudë 4 në zonën detare rreth Santorinit, të ndjekura nga një goditje më e fortë prej 5.2 në jug të Amorgos.
Kryebashkiaku i Anafit, Iakovos Poussos, shprehu shqetësimin për lëkundjet e vazhdueshme: “Këto lëkundje të vazhdueshme kanë filluar të na lodhin. Sidomos mbrëmë. Ishte pa pushim. Njerëzit janë të shqetësuar, sigurisht, por problemi më i madh është se ne jemi zgjuar gjatë gjithë kohës.”
Ekspertët theksojnë se është një situatë e paparashikueshme. Profesori i Gjeofizikës dhe Sizmologjisë, Kostas Papazachos, është shprehur me optimizëm se zona ku ndodhin lëkundjet janë më të vogla nga ditët e para.