Mijëra qytetarë u mblodhën në Bratisllavë dhe në qytete të tjera të Sllovakisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico. Protestuesit shprehen se do të vazhdojnë të mbajnë demonstrata kundër politikës së jashtme të Ficos, e cila, sipas kritikëve, po e afron Sllovakinë me Rusinë. Protestat kanë qenë të shpeshta që nga fillimi i janarit, pas takimit të Ficos me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë në dhjetor. Vizita e Ficos ishte një nga ato të rralla nga një udhëheqës i një shteti të BE-së, që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia tre vjet më parë.
“Në Evropë është Sllovakia!” – brohoritën protestuesit në kryeqytetin sllovak, duke kërkuar largimin e Ficos nga posti. Kryeministri sllovak ka ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka pasur mosmarrëveshje me autoritetet ukrainase, pas vendimit të Kievit për të ndaluar kalimin e gazit rus në vitin 2025.