Një studim i ri i publikuar në revistën Archaeological Prospection, i udhëhequr nga Danny Hilman Natawidjaja i Institutit Indonezian të Shkencave, ka ndezur polemika në botën akademike. Sipas autorëve, në vendin arkeologjik Gunung Padang në Indonezi ndodhet një strukturë ndërtimore që daton nga periudha e fundit akullnajore, rreth 20,000 – 27,000 vjet më parë – shumë përpara shpikjes së bujqësisë dhe qytetërimeve të njohura.
Sipas studimit, bërthama e kësaj piramide është skalitur nga llavë andeziti dhe më pas është mbështjellë me struktura arkitektonike, duke dëshmuar për një aftësi të përparuar në muraturë që sfidon versionin tradicional të historisë njerëzore.
Por këto përfundime janë hedhur poshtë nga disa arkeologë perëndimorë. Flint Dibble, nga Universiteti i Cardiff-it, është shprehur për revistën Nature se është “i befasuar që ky dokument u botua ashtu siç ishte”, duke theksuar se nuk ka prova të qarta që shtresat në fjalë janë të ndërtuara nga njeriu. Sipas tij, materiali që rrëshqet poshtë një kodre mund të orientohet vetë natyrshëm dhe se në mungesë të strukturave funksionale ose gjurmëve të aktivitetit njerëzor, përfundimet e studimit janë të pabazuara.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe arkeologu Bill Farley nga SHBA, i cili theksoi se edhe pse mostrat e tokës mund të jenë datuar me saktësi, ato nuk mbajnë gjurmë të dukshme të ndërhyrjes njerëzore, si qymyr, kocka apo artefakte.
Përballë kritikave, Natawidjaja mbetet i palëkundur. Ai tha se studiuesit janë të mirëpritur të vijnë në Indonezi dhe të zhvillojnë kërkime të pavarura mbi Gunung Padang. Ndërkohë, bashkëredaktori i revistës Archaeological Prospection ka konfirmuar se është nisur një hetim i brendshëm për vlerësimin e metodologjisë dhe konkluzioneve të artikullit.
Ky debat rihap një pyetje të madhe në botën shkencore: A kemi nënvlerësuar thellësisht nivelin e zhvillimit të qytetërimeve të lashta? Apo jemi përballë një interpretimi të gabuar të gjetjeve gjeologjike?