Një zbulim arkeologjik mbresëlënës ka nxjerrë në dritë qytetin e humbur egjiptian Imet, i cili daton rreth 2,500 vite më parë. I ndodhur rreth 10 kilometra në jug të Tanisit, në deltën e Nilit, Imet ishte dikur një qendër e rëndësishme fetare dhe ekonomike në shekullin IV para erës sonë.
Zbulimi u realizua nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Dr. Nicky Nielsen i Universitetit të Mançesterit, në bashkëpunim me Universitetin e Sadat City. Rrënojat u identifikuan përmes teknologjisë së imazheve satelitore me rezolucion të lartë, dhe gërmimet zbuluan struktura si hambare, stalla bagëtish dhe një tempull ceremonial kushtuar perëndeshës Wadjet – mbrojtëses së Egjiptit të Poshtëm.
Ndër gjetjet më të rralla janë ndërtesat shumëkatëshe, të njohura si “tower houses”, që sipas Dr. Nielsen dëshmojnë se Imet ishte një qytet i zhvilluar urbanisht dhe i populluar dendur.
Qyteti besohet të jetë banuar që nga dinastia e 18-të (rreth vitit 1550 p.e.s.) dhe ka qenë kryeqytet i një distrikti të quajtur Nome. Kulmi i tij mendohet të ketë qenë në periudhën e Vonë të Egjiptit, pak para pushtimit nga Aleksandri i Madh në vitin 332 p.e.s.
Po ashtu, janë gjetur edhe artefakte të rralla, përfshirë një sistrum prej bakri – një instrument muzikor i zbukuruar me fytyrën e perëndeshës Hathor – që lidhte botën shpirtërore me jetën e përditshme të banorëve të qytetit.