Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin sportiv në Suedi pasditen e 21 marsit, ku portieri Hugo Mosshagen është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Vrasja raportohet të ketë ndodhur në parkingun e një lagjeje në veriperëndim të vendit.
Autoritetet dyshojnë se incidenti mund të ketë qenë një gabim identiteti, duke e shënjestruar një person tjetër. Ende nuk është kryer asnjë arrestim, ndërsa policia po e heton rastin si vrasje dhe shkelje të rëndë të ligjeve për armët.
“Po punojmë gjerësisht për të verifikuar informacionin që mund të tregojë motive të ndryshme. Por shumica e të dhënave tregojnë se viktima e synuar ishte një person tjetër,” tha Jonas Lund, zëvendësshef i policisë lokale.
Hugo Mosshagen ishte pjesë e ekipit të parë të Forward, një klub në divizionin e katërt të Suedisë. Ekipi pritet të luajë më 29 mars ndeshjen e raundit të parë të ligës kundër Karlslunds.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje mes tifozëve dhe komunitetit lokal, ndërsa hetimet vazhdojnë.